Sigal Prishtina i ka filluar dje stërvitjet për edicionin e ri, ndërsa nga basketbollistët vendorë që i pati në dispozicion për edicionin e kaluar nuk është ftuar vetëm Alban Veseli. Një gjë të tillë, një ditë më herët, e bëri të ditur edhe drejtori sportiv i skuadrës kryeqytetase, Edis Kuraja. Ndërkaq, vetë basketbollisti nuk brengoset për faktin që nuk është ftuar, por kërkon që ndaj tij të kryhen obligimet.
“Prishtina po luan lojëra. Unë ju them të mos merren me gjëra të kota për derisa kanë çështje tjera më të mëdha të pazgjidhura”, ka thënë Veseli për Arenën.Fundori i njohur për gjuajtjet e sakta për tri pikë thekson se atij i ka skaduar kontrata me kryeqytetasit, por skuadra i ka mbetur borxh.
“Mua më ka skaduar kontrata me Prishtinën dhe është e drejtë e tyre të më ftojnë ose jo. Nuk është fare problem ku do të luaj unë, ose a më ka bërë ftesë Prishtina. Ajo që më intereson mua është borxhi që e kanë ndaj meje. Mua personalisht më kanë borxh për tre muajt e fundit dhe premtimet për premia për të cilat nuk janë përgjigjur fare. Madje vlen të përmendet se në vend të premive në fund të edicioni na kanë shqiptuar dënime imagjinare pothuajse të gjithë lojtarëve”, ka shtuar Veseli.
Sipas tij, Sigal Prishtina u ka borxh edhe basketbollistëve të tjerë. “Nuk më përket mua të flas për të tjerët, por mund t’u them se borxhe kanë edhe ndaj lojtarëve tjerë”, është shprehur Veseli.
Edhe vetë e ka kërkuar largimin
Albani ka theksuar se ai ka kërkuar më herët të largohet nga Sigal Prishtina, por një gjë të tillë nuk e kanë lejuar zyrtarët e saj. “Ata e dinë që unë nuk do të qëndroja në Prishtinë pasi që nga nëntori i vitit 2013 e kam kërkuar largimin nga skuadra, por kryesia nuk më ka lejuar”, ka bërë të ditur Veseli, i njohur si “Snajperisti” i trepikëshëve. Në fakt është e qartë se ai e pati kërkuar largimin pas një mosmarrëveshjeje me ish-trajnerin Ceyhun Cabadak.
Ndërkohë, drejtori sportiv i Sigal Prishtinës, Edis Kuraja, më herët ka theksuar se skuadra nuk i ka mbetur askujt borxh. “Sigal Prishtina i ka kryer të gjitha obligimet ndaj secilit anëtar të saj dhe edicionin e ri e nisim pa asnjë borxh”, ka deklaruar Kuraja ditë më parë.
Mbetet të shihet ku do ta vazhdojë karrierën Veseli, ndërsa për shërbimet e tij interesimin asnjëherë nuk e ka fshehur Peja, por si destinacione të reja janë përmendur edhe Bashkimi dhe skuadra e rikthyer në elitën e basketbollit kosovar, Vëllaznimi i Gjakovës. /Tribuna/Telegrafi/