Site icon Telegrafi

Veseli: Shteti ynë qëndron fuqishëm në orientimin e tij perëndimor, në identitet dhe vlera

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën solemne për nderë të Pavarësisë së Kosovës, ka theksuar se në këtë ditë feste dhe gëzimi, të gjitha qytetarët e Kosovës shprehin mirënjohjen për botën demokratike, më në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shtetet e Bashkimit Evropian (BE), Shqipërinë dhe shtetet mike gjithandej botës.

Sipas tij, “janë këto shtete që mirëkuptuan dhe mbështetën në mënyrë vendimtare kauzën tonë të drejtë për liri, pavarësi dhe shtet“.

“E krijuar në kohë të vështira, aleanca e vendit tonë me këto shtete, për ne, mbetet vlerë kombëtare, vizion gjeostrategjik dhe identitet civilizues. E tillë do të mbetet përgjithmonë. Ne kemi qenë, jemi dhe përgjithmonë do të mbesim vend evropian. Me trup dhe shpirt. Me mendje dhe zemër“, ka theksuar Veseli.

Ai ka shtuar se në 9 vjet të ekzistencës së shtetit të Kosovës, vendi ka shënuar të arritura vendimtare dhe do të ishte e pandershme, sipas tij, të mohohen apo nënvlerësohen ato.

“Shteti ynë qëndron fuqishëm në orientimin e tij perëndimor, në identitet dhe vlera. 113 shtete e kanë njohur sovranitetin tonë dhe kjo nuk është pak kur kemi parasysh rrethanat e një bashkësie ndërkombëtare shumë komplekse dhe me plot kontradikta. Njohjet e shtetit tonë do të vazhdojnë. Rruga jonë drejt OKB-së dhe anëtarësimit në organizatat tjera ndërkombëtare është e pandalshme. Tanimë jemi pjesë e shtëpisë botërore të futbollit, UEFA-s, ndërsa sportistët tanë janë duke shkëlqyer në garat sportive ndërkombëtare. Majlinda Kelmendi e ka ngritur lart flamurin e Kosovës“, ka shtuar Veseli.

Sipas tij “ajo na kë bërë krenarë të gjithëve, duke i dëshmuar botës potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë dhe rinia jonë“. /Telegrafi/

Exit mobile version