Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh lider i PDK-së, me tren sot ka shkuar në Drenas.
Veseli ka thënë se hekurudhat mundësojnë transport më të lirë për mallrat dhe për udhëtarët, duke rritur kështu efiçiencën e ekonomisë sonë.
“Pasi e kemi modernizuar sistemin e rrugëve, radhën e kanë hekurudhat”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Modernizimi i hekurudhave do të ketë një ndikim të madh pozitiv edhe në transportin rrugor, ka thënë Veseli, duke e shkarkuar komunikacionin rrugor dhe duke e kaluar një pjesë të transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga rrotat në binarët e trenit.
“Vitin që vjen nis rehabilitimi i përgjithshëm i linjës hekurudhore Leshak-Hani i Elezit përmes fondeve të BERZH-it, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Botërore. Një investim ky prej 160 milionë euro, i cili do të përmbyllet brenda tre viteve. Por, nëse i përfshijmë tërësisht investimet në hekurudha këto tre vite, atëherë ato kapin shifrën e rreth 208 milionë eurove”, ka thënë Veseli.
Ai ka treguar që së shpejti modernizimi do të shtrihet edhe në linjën lindore, që shkon drejt Podujevës dhe në krahun perëndimor drejt Pejës dhe Prizrenit.
“Rajoni i Drenasit dhe Drenicës do të përfitojnë drejtpërdrejtë nga rehabilitimi gjeneral i hekurudhës Fushë Kosovë-Klinë-Pejë, si dhe nga modernizimi në drejtim të Prizrenit”, ka thënë Veseli.
Jetësimi i projektit të linjës hekurudhore Kërçovë-Strugë që po ndodh në Maqedoni, sipas kryeparlamentarit Veseli, do t’i lidh hekurudhat e Kosovës edhe me ato të Republikës së Shqipërisë dhe portet e Durrësit dhe Vlorës.
“Kjo do të thotë që Kosova do të bëhet një nyje e rëndësishme lidhëse e transportit për rajonin, duke shtuar kështu edhe potencialin për turizmin tranzit”, ka thënë Veseli.
Kreu i Kuvendit ka thënë se avancimi në Procesin e Berlinit që po përqendrohet tek përmirësimi i lidhshmërisë infrastrukturore mes vendeve fqinje duke na integruar plotësisht në rrjetin evropian të transportit. /Telegrafi/