Telegrafi

Veseli: Serbia t’i kthejë objektet e trashëgimisë sonë kulturore, që i ka grabitur

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, që shërben për të rritur vetëdijësimin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore.

Veseli, përmes një potimi në Facebook, tha se “Ne krenohemi që vendi ynë ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme që vlen si dëshmi e qytetërimit tonë të hershëm dhe pjesë përbërëse e identitetin tonë kombëtar”.

Postimi i plotë i Veselit:

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, që shërben për të rritur vetëdijësimin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Ne krenohemi që vendi ynë ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe të larmishme që vlen si dëshmi e qytetërimit tonë të hershëm dhe pjesë përbërëse e identitetin tonë kombëtar.

Partia Demokratike e Kosovës si parti konservatore e qendrës së djathtë, i kushton vëmendje të veçantë trashëgimisë kulturore si një pasuri të cilën ne duhet të mbrojmë, restaurojmë, promovojmë dhe përcjellim sa më autentike tek brezat e ardhshëm.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në, mbrojtjen, zbulimin, mirëmbajtjen dhe studimin e kësaj trashëgimie edhe në kushtet e vështira të okupimit dhe diskriminimit. Fatkeqësisht shumë objekte të trashëgimisë sonë kulturore gjenden të grabitura në Serbi dhe duhet të na kthehen sa më parë, pasi i përkasin historisë së kombit tonë”, ka shkruar Veseli. /Telegrafi/