Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë një takimi sot me strukturat e reja të Degës së PDK-së në Shtime, tha se themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë do të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat dhe Kosova do të fillojë ndërtimin e të ardhmes përmes platformës Dekada e Re.
“Unë nuk vij prej vajtimit. Unë kam qenë luftëtar i UÇK-së dhe kur kanë qenë momentet më të rënda ia kam kthyer pushkën Serbisë. Edhe sot, orientimi im është shumë i qartë: Serbia ka kryer gjenocid dhe krime dhe ne nuk do të heshtim. Do të shkojmë deri në fund që të përgjigjet Serbia në rend të parë si shtet i gjenocidit, por edhe gjithë kriminelët serb që i kanë kryer ato krime. Këtë e bëjmë për gjeneratat e reja të ardhshme, sepse çdo krim që nuk ndëshkohet, ai ka rrezik të përsëritet”, tha Veseli, transmeton Telegrafi.
Ai ndërkaq ka vlerësuar lart procesin e brendshëm zgjedhor partiak, duke thënë se PDK tani do të fillojë jetësimin e platformës Dekada e Re, e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
“Këtë do ta bëjmë përmes një koncepti i cili është i pastër, kombëtar, i cili është novator, intelektual, i ndërmarrësisë, përmes politikave zhvillimore ekonomike ku duhet të forcohet shteti ligjor, me masa të cilat do të jenë të veçanta në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, ndërsa do t’ju jepet mundësi gjithë atyre që kanë ide dhe mundësi për ta çuar vendin përpara”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka folur edhe për ideologjinë politikë të PDK-së, e cila siç tha Veseli është tërësisht perëndimore.
“Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk është koncept majtist. Politikat sociale nuk do ta zhvillojnë vendin tonë, por do ta varfërojnë çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Koncepti majtist manipulon njerëzit që kanë problem dhe varfëri dhe mendojnë se duke ua marrë të pasurve do të pasurohen. Jo, jo. Ka një koncept, i cili është perëndimor, i cili thotë se ai i cili është i pasur të bëhet edhe më i pasur dhe ai që është i varfër të bëhet i pasur, pasi në këtë mënyrë mund të ecë ekonomia dhe shoqëria jonë. Ky është vizioni ynë zhvillimor që do ta transformojë vendin tonë. Po t’i bëjmë të gjitha partitë tjera bashkë në njërën anë, nuk kanë bërë më shumë sesa PDK që ka bërë për të djeshmen dhe për transformimin e zhvillimin e Kosovës”, u shpreh Veseli./Telegrafi/