Telegrafi

Veseli: Serbia cinike, pretendon BE-në por nuk jep përgjigje për fatin e personave të pagjetur

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, quajti cinizëm faktin se Serbia sot pretendon të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa ende nuk jep përgjigje për fatin e mijëra qytetarëve të pagjetur Kosovës, në mesin e të cilëve edhe të profesor Ukshin Hotit, dhe mban në territorin e saj varreza sekrete të viktimave të pafajshme.

Veseli këto komente i bëri në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shtatores së Ukshin Hotit, në oborrin e Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren.

“Si mund të jetë pjesë e Evropës dikush që mban sekret fatin e intelektualëve të kalibrit evropian, sikurse është Ukshin Hoti? Është koha t’i jepet fund këtij cinizmi. Kosova ka të drejtë të dijë për fatin e qytetarëve të saj, ta ketë drejtësinë për ta, sepse vetëm drejtësia shëron plagët e së shkuarës, mundëson paqen dhe të ardhmen”, theksoi kryetari Veseli. /Telegrafi/