Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot në Senatin Amerikan, senatorin Ron Johnson me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend e rajon, me theks të veçantë për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.
Senatori Johnson tha se SHBA-të janë gjithmonë përkrah Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euro atlantike.
“Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia ti kthehen dialogut sa më parë dhe të arrijnë marrëveshjen e obligueshme. Rasti i Maqedonisë dhe Greqisë është shembull që duhet ndjekur se kur ka vullnet politik mund të arrihet marrëveshje përfundimtare”, tha senatori Johnson.
Nga ana e tij, Kryeparlamentari Veseli falënderoi Senatorin Johnson për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Republikën e Kosovës.
“Republika e Kosovës dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje të obligueshme për njohjen reciproke. Ky është opsioni i vetëm që siguron paqe dhe stabilitet të përhershëm në rajon. Pavarësisht dallimeve të brendshme, në raport me dialogun, Republika e Kosovës është e gatshme për fazën finale të dialogut”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/