Telegrafi

Veseli: Rusia po shkon drejt njohjes së Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se viti 2019 do të jetë vit i suksesit të Kosovës, vit i shpërthimit në aspektin politik, diplomatik, ekonomik dhe vit i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Veseli pas mbledhjes së Kryesisë ka komentuar edhe vizitën e Vladimir Putinit në Serbi, për të cilën tha se duhet marr si diçka pozitive.

“Ne jemi me Amerikën…Fqinji jonë po pretendon me kanë mirë me partnerët tanë por po i hap dyer  Rusisë. Pas takimit të Putinit me Thaçin, Putini të njëjtin mesazh e ka dhënë në Serbi. Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës. Për ata e fillova që Kosova do të jetë në OKB në vitin 2019 po shpresojmë shumë dhe jemi duke punuar për atë…”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit ka folur edhe për taksën, duke thënë se taksa 100 % i ka bërë mirë Serbisë dhe është reaksion ndaj agresivitetit dhe mos respektimit të Kosovës.

“Vendimi i yni nuk është orientuar ndaj ndonjë komuniteti etnik… Gjithë jetën time politike ka veç një partner dhe ky është SHBA… Nuk do ta dëmtojmë partneritetin me SHBA-të dhe se nuk do të lejojmë dikush ta dëmtojë… Qëndrimet e ambasadorit amerikan janë mesazhe që i marrim shumë seriozisht… Partneriteti me SHBA-të do të jetë përjetshëm..”, tha Veseli.

Ai tha se SHBA-të nuk kanë kërkuar heqjen e taksës, por sipas tij, kërkesa e tyre ka të bëjë me dhënien e një mundësie për dialogun me Serbinë.

Ai tha se Serbia duhet ta dijë që ky vend është sovran dhe mos t’i maltretojë qytetarët e Kosovës kur kalojnë nga Serbia. “I kanë lanë diasporën tonë ka 7-8 orë me prit midis dimrit”, tha ai.

Duke folur për kritikat e opozitës, Veseli tha se Avdullah Hoti duhet me fol diçka, është opozitë dhe është bërë yll i opozitës.

Ndryshe, seanca e parë parlamentare e sesionit pranveror do të jetë më 30 janar. Seancë do të ketë edhe më 31 janar, ku do të jetë në rend dite Projektligji për buxhetin.

“Me datën 31 janar do të kemi seancë parlamentare me disa pika shumë të rëndësishme, si ligji i buxhetit, statuti i Trepçës, shumë shpejt do ta kalojë Kuvendi i Kosovës dhe ligji për paga dhe një mori ligjesh tjera që do t’i aprovojë ku Kuvend në shërbim të interesave të qytetarëve”, tha Veseli. /Telegrafi/