Me rastin e 21 vjetorit të rënies së heroit Luan Haradinaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kanë bërë homazhe tek varri i Luan Haradinajt në Gllogjan.
Kryeparlamentari Veseli tha se ka pasur fatin që të bashkëveprojë me një luftëtar siç ishte Luan Haradinaj.
Veseli tha se janë të përgjegjshëm se duhet të punojnë më shumë për shtetin e Kosovës, pasi që në themelet e saj janë dëshmorët si Luan Haradinaj, që ranë për liri, raporton KP.
“Natyrisht që ka qenë moment i rëndë pas rënies se tre heronjve tanë Zahirit, Edmondit dhe Hakifit ka qenë goditja e dytë e rëndë e cila për disa kanë menduar që ka me na gjunjëzuar, por koha ka treguar se na ka forcuar edhe më shumë për arsye se Luani e Shkëlzeni kanë qenë shumë të fortë për aq sa kanë qenë edhe prindërit e tyre të cilët me vendosmërinë e tyre na kanë jep edhe neve kurajo që të vazhdojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në të njëjtë kohë të arrijmë idealin për të cilin kanë sakrifikuar. Sot ne të gjithë jemi krenar dhe në të njëjtën kohë të përgjegjshëm se duhet të bëjmë edhe më shumë për shtetin tonë të pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës për arsye se në themelet e saj është gjaku i Luanit, Shkëlzenit, Ademit, Zahirit, Edmondit e qindra e mija heronjve të luftës sonë për liri”, ka deklaruar Veseli. /Telegrafi/