Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli kanë reaguar për sulmet fizike ndaj një gruaje rome, nga disa të rinj.
Veseli ka thënë se është i shokuar me pamjet dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm të organeve të rendit.
“Jam i shokuar me pamjet e sulmit ndaj një qytetare të lirë të këtij vendi. Veprime të tilla janë të papranueshme. Është i domosdoshëm veprimi i menjëhershëm dhe institucional i organeve të sigurisë në lidhje me rastin. Çdo shqetësim publik duhet të trajtohet në mënyrë institucionale. Linçimi publik nuk na nderon si shoqëri demokratike dhe nuk guxojmë dhe as që duhet të lejojmë që secili të marrë të drejtën e gjyqësisë në këtë vend”, ka shkruar ai në një reagim në Facebook.
Ndërsa Pacolli, ka kërkuar nga Policia e Kosovës të veproj sa më parë.
“Pashë pamje nga sulmi i sotëm në Ferizaj. Ju djem të rinj që sulmoni këtë grua të pa mbrojtur. A keni ndonjë motër apo nënë Ju? Kush ju jep të drejtën ta sulmoni? Policia e Kosovës të vepron sa më parë, me prioritet të lartë”, ka shkruar Pacolli në Facebook./Telegrafi/