Site icon Telegrafi

Veseli: Prodhuesve do ua subvencionojmë deri në 80 për qind interesin e kredive

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, sot është takuar me disa fermerë në Prizren, duke iu thënë se në qeverisjen e tij do të kenë përkrahje shumë më të madhe.

Veseli në një status në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se do t’i sigurojnë produktet bujqësore dhe do të investojnë më shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për grumbullimin, ruajtjen dhe paketimin e prodhimeve bujqësore.

“Njerëzit që punojnë tokën janë kudo njerëzit më të përkushtuar dhe më të ndershëm. Të tillë janë edhe fermerët tanë, që me mund dhe djersë mbajnë familjet e tyre. Fermerët e Prizrenit, që sot i takova, por edhe të gjithë Kosovës, në qeverisjen time do të kenë përkrahje shumë më të madhe. I kuptojmë nevojat e tyre, prandaj edhe do t’i rrisim investimet në sistemet e ujitjes, do ta rrisim kapitalin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive dhe do ua subvencionojmë deri në 80 për qind interesin e kredive për prodhim. I kuptojmë rreziqet e punës, prandaj edhe do t’i sigurojmë produktet bujqësore dhe do të investojmë më shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për grumbullimin, ruajtjen dhe paketimin e prodhimeve bujqësore. Prodhimet bujqësore të tokës sonë do t’i përkrahim dhe në tregun e brendshëm përmes Ligjit të Përkrahjes së Produkteve Vendore”, ka shkruar Veseli. /Telegrafi/

Exit mobile version