Site icon Telegrafi

Veseli: Fajin për ndërtimet pa leje e kanë institucionet

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, e ka nisur ditën e diel me një postim në facebook për çështjen e legalizimit të banesave dhe shtëpive që nuk kanë leje poseduese.

Veseli deklaron se një ndër premtimet kryesore elektorale të fushatës së tij në kuadër të luftës kundër korrupsionit, është zgjidhja brenda dy vjetësh e legalizimit duke futur në qarkullim miliarda euro kapital të bllokuar.

Sipas tij kjo situatë duhet të marrë fund dhe qytetarët duhet ta gëzojnë pronën tyre për të cilën kanë derdhur mund e djersë.

Në lidhje me ndërtimet pa leje ai i shfajëson qytetarët duke thënë se ata janë të detyruar të ndërtojnë pa leje sepse institucionet përkatëse nuk kanë qenë të afta që të bëjnë planifikime urbane e ofrojnë shërbime në përputhje me kërkesën e madhe në rritje për strehim.

Po ashtu kur flet për qytetarët që kanë blerë banesa ai thotë se është absurde që mijëra të tjerë kanë blerë banesa në ndërtime të larta të ligjshme, paguajnë tatimin në pronë dhe ende prej vitesh nuk u është dhënë fleta poseduese prej burokratëve të papërgjegjshëm.

Postimi i plotë i Veselit:

“Vizitova banorë të lagjeve Mati dhe Kodra e Trimave të cilët nuk kanë ende tituj ligjorë pronësie për pronën e tyre. Si ta janë 350 000 mijë në Kosovë që nuk kanë fletë poseduese duke mbajtur kështu jashtë qarkullimit të ekonomisë pothuaj 10 miliardë euro kapital të bllokuar. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe këta qytetarë duhet ta gëzojnë pronën tyre për të cilën kanë derdhur mund e djersë.

Mijëra qytetarë janë detyruar të ndërtojnë shtëpinë e tyre pa marrë leje sepse institucionet përkatëse nuk kanë qenë të afta që të bëjnë planifikime urbane e ofrojnë shërbime në përputhje me kërkesën e madhe në rritje për strehim. Mijëra të tjerë kanë blerë banesa në ndërtime të larta të ligjshme, paguajnë tatimin në pronë dhe ende prej vitesh nuk u është dhënë fleta poseduese prej burokratëve të papërgjegjshëm.

Prandaj brenda dy vjetësh nëpërmjet legalizimit të përshpejtuar të gjithë këta qytetarë do kenë titullin ligjor të pronës së tyre nëse ajo nuk cenon interesin apo pronën publike. Miliarda euro do të zhbllokohen ligjërisht e do mund të bëhen pjesë e ekonomisë sonë duke hapur dhjetëra mijëra vende pune e duke ndërtuar një të ardhme më të mirë ekonomike për Kosovën”, ka shkruar Veseli. /Telegrafi/

Exit mobile version