Është promovuar programi për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare dhe Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.
Aty u tha se Kosova ka rini inovatore me shumë ide dhe energji për punë dhe u premtua Universiteti i Teknologjisë së Informacionit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se fusha e teknologjisë informative dhe investimi në inovacione dhe ndërmarrësi do të bëhet prioritet dhe fokus i zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës, për të cilin qëllim ai tha se ka projektuar dhe shtyrë përpara themelimin e Ministrisë së Inovacionit.
Ai i inkurajoi të gjithë të rinjtë e regjionit të Prizrenit, por edhe gjitha qyteteve tjera që të aplikojnë me idetë e tyre për të marrë mbështetje nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
“Asetin më të fuqishëm që e ka kombi ynë është rinia, ta shfrytëzojmë në mënyrën me adekuate këtë aset. Besoj shumë shpejt do të krijojmë një Universitet të Teknologjisë së Informacionit”, tha ai.
Ndërsa ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha Qeveria duhet bërë ligje të vlefshme dhe të mos bëhen pengesë e ndërmarrësve.
“Ndërmarrësit e rinj që unë i kam vizituar gjatë kësaj kohe, jam i mrekulluar me idetë dhe funksionin e tyre. Ndërmarrjet në fushën e digjitalizimit në Kosovë po rriten 10 herë brenda vitit, 10 herë brenda vitit”, ka thënë ai.
Në ngjarjen “Think Future – Prizren” premtuan se vitin e ardhshëm do të dyfishohen këto fonde, në mënyrë që të rinjtë e Kosovës me ide inovatore të realizojnë idetë dhe projektet e tyre, përmes të cilave do të krijohen edhe shumë vende të reja pune. /Telegrafi/