Site icon Telegrafi

Veseli premton 300 çerdhe të reja – për gratë që lindin fëmijën e tretë dhe të katërt nga 1,000-1,500 euro

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës ka vizituar një çerdhe në kryeqytet, nga ku është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të ndërtohen 300 çerdhe të reja në tërë vendin.

Nga aty Veseli tha se fokus i tij është futja obligative e fëmijëve në edukimin parashkollor.

Po ashtu, kreu i PDK-së foli edhe për rritjen e familjeve, ku premtoi se do stimulojnë lindjen e fëmijëve, ku tha se për fëmijën e tretë familjet do të marrin një mijë euro.

“Fokusi im i madh është që të bëhet futja pothuajse obligative nga 0 deri në 6 vjeç. Kam paraparë ndërtimin e 300 çerdheve, të cilat do të jenë pikërisht në këtë qëllim. Pastaj si orientim konservator në të cilën është partia ime dhe unë, familja e luan rolin e jashtëzakonshëm. Fuqizimi i familjes, ne do të stimulojmë me politikat tona lindjen e fëmijës të tretë me 1 mijë euro, lindjen e fëmijës të katërt me 1 mijë e 500 euro. Orientimi ynë është rritja e familjes dhe përgatitja e fëmijëve tanë që të jenë të barabartë me fëmijët evropian, për arsye se edhe konkurrenca, ambienti ku jetojmë është evropian dhe konkurrenca duhet të jetë evropiane”, tha ai.

Kurse, drejtoresha e këtij kopshti, Gëzime Rexhepi Çollaku, tha se sfida më e madhe me të cilën përballen gjatë punës së tyre është pushimi i lehonisë.

Ajo nga Veseli kërkoi që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që t’iu lehtësohet puna bizneseve, e edhe gratë të kenë mundësi të rrisin familjet e tyre.

Pretendenti për kryeministër të vendit, premtoi se do të jetë në mbështetje të fuqizimit të çerdheve private.

“Kam me iu kriju hapësirë të madhe grave që të kenë mundësi, pastaj të kenë edhe aktivitete qoftë në punësim, qoftë në ndërmarrësi, që të mos jenë të varura drejtpërdrejtë vetëm prej situatës familjare”, tha ai.

Gjatë këtij takimi Veseli ishte i shoqëruar nga kandidatja për deputete nga PDK, Dhurata Hoxha. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version