Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat që janë identifikuar në raportin e Komisionit Evropian, pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë.
Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një takimi me shefen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, nga e cila pranoi raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Veseli tha se nëpërmjet këtij raporti, Bashkimi Evropian vlerësoi të arriturat e Kosovës në shumë fusha të rëndësishme dhe rikonfirmoi perspektivën e sigurt evropiane të Kosovës, ndërsa u zotua se të gjitha të gjeturat e raportit do të adresohen me kohë.
“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës besojnë në projektin e Bashkimit Evropian dhe po punojnë në vazhdimësi për të përmbushur kriteret e nevojshme që sa më parë edhe Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka theksuar se institucionet kosovare tashmë i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shprehu bindjen se gjatë këtij viti institucionet përkatëse të BE-së do të marrin vendimet e duhura për të mundësuar lëvizjen e lirë e pa viza për qytetarët e Kosovës në Shengen. /Telegrafi/