Site icon Telegrafi

Veseli: Përvoja legjislative bullgare, e mirëseardhur për institucionet e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot kryetaren e Kuvendit të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva, me të cilën diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet në mes të dy parlamenteve, të cilat u vlerësuan të jenë shumë të mira, jo vetëm në nivelin e grupit të përbashkët të miqësisë që tanimë funksionon, por edhe në nivelin e komisioneve parlamentare, të cilat këmbejnë përvojat legjislative përkatëse.

Kryetari Veseli çmoi shumë mundësinë që kanë institucionet e Republikës së Kosovës që të përfitojnë nga përvoja legjislative bullgare, si një vend që ka kaluar procesin e tranzicionit.

“Përvoja e tranzicionit dhe procesi i integrimit në BE, në veçanti sfidat me të cilat u përball legjislativi bullgar, është një përvojë e mirë për ligjvënësit e Kosovës. Bashkëpunimi ndërparlamentar me Bullgarinë, ofron mundësi të reja edhe në procesin euro-integrues”, theksoi kryetari Veseli.

Tsacheva theksoi me këtë rast se Parlamenti bullgar është i hapur për thellimin e bashkëpunimit që ndikon jo vetëm në afrimin e të dyja vendeve, por edhe si vend që mbështetë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version