Site icon Telegrafi

Veseli përshëndet avancimin e statusit të shqiptarëve në Malin e Zi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, me të cilin ka diskutuar për raportet midis dy vendeve dhe, me theks të veçantë, për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe të komunitetit malazez në Kosovë, në anën tjetër.

Kryeparlamentari Veseli i ka cilësuar arritje të mëdha për shqiptarët në Mal të Zi dy vendimet e fundit të shtetit malazez, atë për themelimin e Komunës më shumicë shqiptare të Tuzit, si dhe miratimin e vendimit i cili parasheh zyrtarizmin e gjuhës shqipe në komunat në të cilat shqiptarët përbëjnë mbi pesë për qind të popullsisë.

Po ashtu, kreu i Kuvendit të Kosovës e vlerësoi të një rëndësie të veçantë ratifikimin nga ana e Senatit amerikan të traktatit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë vendim një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Veseli bëri të ditur se Kosova do ta fusë me rishikim të buxhetit asfaltimin e rrugës Deçan – Plavë, ndërsa kërkoi që Mali i Zi ta përfundojë pjesën e vet të kësaj rruge.

Kreu i legjislativit kërkoi po ashtu, heqjen e tarifës së sigurimit të automjeteve prej 15 eurosh për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt Malit të Zi.

Ambasadori Dinosha, nga ana e tij, theksoi përkushtimin e shtetit malazez për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit e të miqësisë.

Ai tha se krijimi i Komunës së Tuzit dhe zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe edhe në komuna të tjera, shtojnë peshën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe avancojnë statusin e tyre në këtë shtet. /Telegrafi/

Exit mobile version