Telegrafi

Veseli përkujton Bekim Berishën – luftës çlirimtare t’ia heqim njollën prej abuzimit me veteranët e rrejshëm

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka përkujtuar heroin Bekim Berisha e luftëtarët e tjerë, në 21 vjetorin e rënies.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se duhet punuar më shumë që të jetësohen aspiratat e Abesë e dëshmorëve të tjerë.

Veseli ka thënë se për të nderuar kujtimin e veprës së tyre, duhet hequr njolla e keqe e veteranëve të rremë.

“Si sot 21 vjet më parë, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rëndë heroikisht: Bekim Berisha-Abeja, Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami, Bedri Shala, Besnik Begunca, Elton Zherka dhe Përmet Vula.

Lexo po ashtu Bekim Berisha - "Abeja", 20 vjet nga rënia e heroit të tri luftërave

Ne sot kemi arritur shumë falë sakrificës së tyre por Kosova nuk është akoma ajo që ata kanë ëndërruar. Ende na ngelet shumë për të bërë që të përmbushim aspiratat e Abesë dhe të mijëra dëshmorëve të tjerë, që të kemi një Kosovë të zhvilluar me shumë mundësi për të rinjtë tanë.

Për të nderuar kujtimin e veprës së tyre, ne duhet t’ia heqim njollën që i është vënë luftës sonë çlirimtare prej abuzimit me veteranët e rremë. Ua kemi borxh dëshmorëve që të bëjmë më të mirën për UÇK-në dhe vendin tonë”, ka shkruar Veseli, njofton Telegrafi.

Ndryshe, më 10 gusht të vitit 1998, Bekim Berisha i njohur me nofkën “Abeja” si njëri ndër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ra heroikisht pas një luftimi disa orësh me forcat serbe.