Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka vizituar Raba Behramin, 92 vjeçaren së cilës në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit ia vranë djalin e vetëm Smajl Behramin.
Një vizitë të tillë, Veseli e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut:
Për 8 mars, bashkë me Violetën, ishim për vizitë te lokja 92 vjeçare, Raba Behrami, në Kozhicë të Skenderajt.
E mbetur pa përkrahjen e burrit, që i kishte vdekur shumë herët, nënëlokja megjithatë nuk u mposht asnjëherë.
I rriti me mund e sakrifica tre fëmijët e saj, duke shpresuar gjithmonë për një të ardhme me të mirë për ta, por tragjeditë përsëri nuk ju ndanë jetës së saj.
Në shkurtin e vitit 1998, në ditët e parë të luftës në Qirez e Likoshan, ia vranë djalin e vetëm, të cilin priste ta martonte në qershorin e atij viti, ndërsa vitin tjetër, kriminelët serbë ia dhunuan e vranë mbesën 20 vjeçare.
Përmes rrëfimit për jetën e saj, flet e gjithë historia e nënave, grave e motrave tona, që krahas padrejtësive ekonomike, bartën mbi supet e tyre edhe vuajtjet nga shtypja e egër politike që ushtrohej mbi burrat e fëmijët e tyre. Flet historia e Kosovës. Ne kurrë nuk do të harrojmë. Ne kurrë s’do të ndalemi që ta bëjmë Kosovën vend me të ardhme të sigurt për fëmijët e saj, për nënat e motrat e tyre. /Telegrafi/