Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Akademinë solemne me rastin e 70-vjetorit të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, tha se Republika e Kosovës e ka për obligim që pensionistëve të saj, të cilët dje punuan për pavarësinë e saj, sot t’u garantoj pleqëri të pavarur.
Para qindra pensionistëve, pjesëmarrës në këtë Akademi, kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova përfundimisht duhet ta ketë të konsoliduar sektorin e veçantë institucional të përkujdesjes së gjithanshme për të moshuarit e saj: të ardhura dinjitoze, strehim të garantuar, përkujdesje shëndetësore, duke përfshirë lehtësirat e plota në barna dhe rehabilitim.
“Jeta dinjitoze e pensionistëve dhe gjithë kategorisë së të moshuarve është pjesë e pandashme e perspektivës zhvillimore të Kosovës. Ju punuat për të ardhmen tonë, prandaj ardhmja nuk ka kuptim pa respektin njerëzor dhe institucional për ju”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se hapat e deritanishëm që janë bërë në këtë drejtim janë të pamjaftueshëm, ndërsa arsyetimet e mungesave buxhetore nuk mund të justifikojnë ata që duan të marrin përgjegjësi, por janë të paaftë të gjejnë zgjidhje për problemet e qytetarëve.
Veseli tha se pensionistët e Kosovës nuk janë kategori e lëmoshës sociale, por pjesa krenare e identitetit tonë shtetëror.
Duke i shprehur mirënjohjen për punën e tyre të palodhshme në të mirë të vendit dhe lirisë së tij, kryeparlamentari Veseli tha se në çdo përgjegjësi institucionale që do të jetë, dera e tij do të jetë gjithmonë e hapur për pensionistët, jo vetëm për problemet, por edhe për idetë dhe këshillat e tyre.
“Ju përfaqësoni atë gjeneratë të ndritshme, që me punën tuaj, me djersën, mundin, sakrificat e panumërta, e ndërtuat Kosovën. Me punën tuaj ju e shkruat historinë e Kosovës. Me përkushtimin tuaj atdhetar ju edukuat brezin e ri, i cili mori përsipër ta bëjë realitet ëndrrën historike të popullit tonë për liri e pavarësi”, theksoi Veseli. /Telegrafi/