Site icon Telegrafi

Veseli: PDK nuk do të kandidojë në poste publike personat e dënuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë eksluzive për Telegrafin, e ka cilësuar krejt normale ardhjen e tij në krye të PDK-së pa kundërkandidat, duke thënë se kjo është praktikë normale dhe duke marrë shembujt e partive të tjera të djathta të demokracive më të mëdha dhe më të konsoliduar të Evropës. Thotë se shkelës abuzues e persona të korruptuar ka në PDK dhe në secilën parti të Kosovës, por është punë e prokurorisë dhe gjyqësorit që të bëjnë punën e tyre.

Gjithashtu thotë se do të bëjë atë që është e mundur që nga kandidaturat e Partisë Demokratike të Kosovës për poste publike të filtrohen e mos të përfshihen personat që kanë marrë dënime të formës së prerë prej gjykatave.

Veseli thotë se Partia Demokratike e Kosovës ka një partneritet shumë të qëndrueshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe i ka ftuar edhe njëherë përfaqësuesit e opozitës që t’i rikthehen rrugës institucionale dhe të pranojnë propozimet e bëra nga ai për të mirë të tyre, por edhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Telegrafi: Më 7 maj u mbajt Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe ju, pa asnjë votë kundër, u zgjodhët kryetari i ri i partisë. Nuk kishit asnjë kundërkandidat. Si ndodhi që askush nuk tentoi t’ju ju sfidojë juve në këtë garë?

Veseli: Unë e kam dëgjuar disa herë të ngrihet kjo çështje dhe besoj se kjo pyetje shtrohet kryesisht nga mungesa e njohjes së mirë të përvojës së Evropës. Mjafton të marrim shembujt e partive të tjera të djathta të demokracive më të mëdha dhe më të konsoliduar të Evropës për të parë që kjo është praktikë normale. Kancelaria Angela Merkel ka ardhur në krye të partisë së saj Unioni Kristian Demokrati në 10 prill të vitit 2000 duke marrë 96% të votës së kongresit të partisë dhe pa patur kandidatë rivalë. Edhe paraardhësi i saj, lideri historik i CDU-së, Helmut Kohl u zgjodh kryetar i partisë prej votave dërrmuese të konventës në vitin 1973 pa pasur kundër-kandidat. Atdheu i demokracisë është Britania e Madhe dhe atje ka pasur boll raste kur kryetari i partisë është zgjedhur nga vetëm një kandidat sikurse është për shembull rasti i Michael Hoëard i cili u zgjodh në krye të Partisë Konservatore në vitin 2003 duke konkurruar si kandidat i vetëm. E njëjta praktikë haset edhe në Francë ku për shembull partia goliste UMP zgjodhi drejtues të saj Nicolas Sarkozy në një garë me një kandidat në vitin 2007.

E rëndësishme është të thuhet që çdo anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës ishte i vetëdijshëm dhe i garantuar se kishte të drejtën e barabartë që të kandidonte nëse besonte se gëzonte mjaftueshëm mbështetje për të marrë pozitën e kryetarit të partisë. Po ashtu e ka ditur se kishte të drejtën e një procesi të ndershëm të votimit nëse do të hynte në garë me kandidaturën time. Madje ne kishim ftuar përfaqësues nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve dhe organizata të tjera vendase dhe të huaja që ta monitoronin këtë proces nëse do e lypte nevoja që të garohej mes disa kandidatëve. Unë mendoj se do ishte një përnjëmend një farsë nëse do ishte vënë një kandidat alternativ në mënyrë artificiale vetëm për të lënë përshtypjen sikur ka disa kandidatë. Unë besoj se e rëndësishme është që procesi i zgjedhjes u bë nëpërmjet një gare të hapur, transparente e gjithëpërfshirëse dhe se asnjë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk e ka kontestuar këtë proces apo nuk ka pretenduar se ka pasur parregullsi apo pengesa për kandidatë të tjerë.

Telegrafi: Tranzicionet në secilin institucion nuk janë çdo herë të thjeshta dhe pa probleme. A mendoni se do të mund ta zëvendësoni Hashim Thaçin, kur dihet se skena politike në Kosovë është ndërtuar mbi mitin dhe fuqinë e liderit. A rrezikon që ndryshimi brenda partisë të rezultojë me mos bindje dhe pakënaqësi?

Veseli: Në rastin e Partisë Demokratike të Kosovës ky tranzicion erdhi në mënyrë shumë të natyrshme dhe të qetë, në përputhje të plotë me ligjet e vendit dhe statutin dhe rregulloret e Partisë Demokratike të Kosovës. Z Thaçi ka lënë pas një parti të konsoliduar që ka korrur 6 fitore elektorale njëra pas tjetrës në zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe që vepron në mënyrë institucionale me kohezion të fortë të brendshëm. Unë i jam shumë mirënjohës themeluesit të partisë për punën e madhe që ka bërë dhe gjithqysh do bëj atë që është e mundur ta vazhdoj në rrugën e tij të sukseseve. Ato që ju i quani mos-bindje apo pakënaqësi në fakt në partinë tonë ne i quajmë demokraci të brendshme dhe pluralizëm dhe gjatë gjithë kohës ne jemi udhëhequr nga parimi unitet në diversitet. Pra PDK-ja ndryshe nga partitë e tjera, e ka mundësuar debatin e brendshëm apo praninë e mendimit ndryshe dhe unë e konsideroj këtë një avantazh e jo një pengesë sepse kjo konkurrenca është parakusht i cilësisë.

Ju e patë edhe nga diskutimet gjatë Konventës sonë që kishte edhe zëra kritik e mospajtime të cilat janë të mirëpritura tek ne. Ne nuk i konsiderojmë ato dobësi , përkundrazi, i shohim si pasuri që duhet kultivuar. Ndryshe nga partitë e tjera të Kosovës që konventat i zhvillojnë me dyer të mbyllura konventat ne kemi vendosur një standard të lartë transparence. Ne e kemi zhvilluar të gjithë Konventën me dyer të hapura për mediat, pra kemi lënë qasje të plotë të mediave gjatë gjithë punimeve të këtij aktiviteti të brendshëm të partisë sonë. Për sa i përket pranimit apo jo të ndryshimeve unë e kam theksuar shumë herë që Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ecën në hap me kohën dhe ka vullnet të evoluojë në bazë të nevojave apo sfidave me të cilat ballafaqohet.

Telegrafi: PDK-ja, përveç që është njëra ndër partitë më të mëdha në vend, është subjekti politik me numrin të madh të zyrtarëve të saj që kanë problem me ligjin dhe këtu bëhet fjalë për zyrtarë të niveleve të larta përfshi kryetarë të komunave. Po ashtu disa prej uzurpatorëve të pronave publike kanë rezultuar të jenë eksponentë të PDK-së. Çfarë do të dallojë PDK-ja e Kadri Veselit me PDK-në e Hashim Thaçit?

Veseli: Shkeljet e ligjit, korrupsioni apo abuzimi me postin janë përgjegjësi personale ndaj ligjit dhe cilido individ që gjendet i fajshëm pas një procesi gjyqësor të ndershëm meriton të ndëshkohet. Përgjegjësia dhe ndëshkimet kolektive ishin pjesë e sistemit diktatorial komunist nga kemi dalë e nuk ka lidhje me sistemin e liberal demokracisë ku jetojmë. Kjo do të thotë që përgjegjësia nuk është kolektive pra nuk është e partisë sonë, por e secilit person që ka bërë shkelje ligjore. Shkelës, abuzues e persona të korruptuar ka në secilën parti të Kosovës.
Natyrisht që me rregullën e thjeshtë të probabilitetit një parti e madhe që qeveris më shumë mund të ketë një numër më të madh zyrtarësh politik shkelës. Mirëpo çdo person i tillë duhet të trajtohet në bazë të përgjegjësisë personale, marrëdhënies individuale me ligjin dhe mos të bëhen paragjykime apo përgjithësime që fyejnë e poshtërojnë ato qindra mijëra anëtarë e votues të ndershëm të cilët s’kanë asnjë përfshirje në shkeljet që mund të bëj dikush nga partia e tyre.
Për sa i përket uzurpatorëve, besoj më shumë se fjalët e mia, flasin vetë veprimet e mia. Unë në fillim të këtij viti kam bërë kërkesën për të bërë transparente listën e personave që kanë uzurpuar prona publike dhe gjithmonë në të ardhmen do punojë që të shtohet sa më shumë transparenca në institucionet shtetërore. Lidhur me ndëshkimin mandej i takon prokurorisë dhe gjyqësorit që të bëj punën e vetë kur shkeljet të jenë zbuluar, mos prisni nga unë kreu i legjislativit që të bëj vetë-gjyqësi apo të ndërhyj në punët e drejtësisë sepse ndarja e pushtetit legjislativ nga ai gjyqësor është i sanksionuar me Kushtetutë.

Telegraf: Gjatë shpalljes së kandidaturës suaj ju keni folur që do të luftoni korrupsionin. A nënkupton kjo që në zgjedhjet e ardhshme ta pastroni listën prej personave që kanë probleme me ligjin, por që në anën tjetër një pjesë e tyre i kanë sjellë partisë shumë vota?
Veseli: Varet se çfarë nënkuptoni me probleme me ligjin sepse sipas raportit vjetor të prokurorit të shtetit, në fillim të vitit 2015 ka pasur 120 706 raste në pritje për t’u zgjidhur. Po ashtu një ndër parimet bazë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut është e drejta për t’u konsideruar i pafajshëm derisa në bazë të ligjit të vërtetohet fajësia në një proces të ndershëm gjyqësor në të cilin i sigurohen tё gjitha garancitë e nevojshme për mbrojtjen personit të akuzuar. Gjithsesi Partia Demokratike është parti serioze dhe institucionale dhe vendimet merren në mënyrë kolegjiale duke përfshirë strukturat në proces gjë që do të thotë se listat nuk varen ekskluzivisht prej meje. Megjithatë unë ju them se do të bëj atë që është e mundur që nga kandidaturat e Partisë Demokratike të Kosovës për poste publike të filtrohen e mos përfshihen personat që kanë marrë dënime të formës së prerë prej gjykatave.

Telegrafi: Ka më tepër se tri vite që ju jeni bërë pjesë e PDK-së. A mendoni se kjo është kohë e mjaftueshme që ju ta njihni strukturën e partisë edhe në zona më periferike të vendit?

Veseli: Përgjigjen më të mirë për pyetjen tuaj e jep vetë rezultati i votimit të delegatëve gjatë Konventës së Shtatë Zgjedhore të PDK-së. Unë jam mirënjohës për besimin e plotë dhe të pakursyer që strukturat e partisë më kanë dhënë dhe do përpiqem sa të mundem që t’u dëshmoj se e kam merituar. Unë jam përfshirë formalisht në vitin 2012 në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe që atëhere kam punuar intensivisht në terren dhe nuk kam lënë zonë qendrore apo periferike të strukturave partiake pa vizituar. Megjithatë më duhet të shtoj se me një pjesë të mirë të strukturave Partisë Demokratike të Kosovës njihem që në fund të viteve 80-të kur kam nisur angazhimin tim në lëvizjen për lirinë e Kosovës dhe kemi pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë të çimentuar në llogoret e luftës.

Telegrafi: Muajt e fundit kemi një refuzim të partive opozitare për bashkëpunim me PDK-në, sepse e akuzojnë këtë parti si fajtoren kryesore për degradimin e Kosovës. Disa prej këtyre partive kanë vija të kuqe për partinë të cilën pritet që ju ta drejtoni. A mendoni se do të mund t’i bindni partitë opozitare të bashkëpunojnë me ju, duke ndërtuar kështu ura të mirëbesimit me spektrin politik në vend?

Veseli: Unë besoj se kjo është një fazë kalimtare, një etapë tensionimi e politikës sonë në kushtet e tranzicionit. Po të shohim vendet fqinje edhe ato kanë pasur të tilla situate të ngjashme të vështira dhe kjo vjen nga mungesa e traditës demokratike. Përtej retorikës së politikës ditore dhe toneve të ndezura që përdoren prej partive opozitare për të mobilizuar simpatizantët, PDK-ja edhe në mes të krizës politike të ngërçit ka qenë në bashkëpunim me partitë e tjera në koalicione të organizuara në nivel vendor. Po ashtu ka bashkëpunuar dhe do të jetë e hapur për të vazhduar bashkëpunimin me të gjitha partitë e vendit për hir të interesave madhore të Republikës së Kosovës dhe problemeve më të mëdha të popullit tonë. Unë nuk besoj se duhet që t’i bindim ne, ata duhet t’i binden vullnetit të popullit të shprehur nëpërmjet votës si dhe procedurave demokratike të shprehura nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Megjithatë unë kam bërë një ofertë shumë të mirë për opozitën që është në interes jo vetëm të këtyre partive por edhe të mbarë vendit. Kështu për shembull kam ofruar një marrëveshje politike që ndal praktikën e sistemit politik ku fitimtari merr gjithçka, por jep më shumë rol e përgjegjësi në dorë të opozitës për mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore në vend. Konkretisht kam propozuar që të merremi vesh për të nisur një traditë ku institucionet shtetërore të kontrollit të lihen në dorë të opozitës ndërkohë që mazhoranca mban institucionet e aksionit. Pra mirëkuptim që pasi të përfundojë mandate aktual, drejtuesit institucioneve të kontrollit sikurse janë Avokatit të Popullit, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit apo të Komisionit të Pavarur të Mediave të zgjidhen ndërmjet kandidatëve të propozuar nga opozita. Po ashtu nëse opozita sinqerisht e shqetësuar për nivelin e korrupsionit unë kam propozuar një nismë të dekriminalizimit nëpërmjet një ligji të pastërtisë së figurës për të shmangur nga kandidimi për detyra të larta shtetërore të personave që kanë të kaluar kriminale.

Meqenëse ka qenë shqetësim në të kaluarën kemi propozuar edhe përfshirjen e një përfaqësuesi të lartë të opozitës në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel për të garantuar maksimumin e transparencës. Po ashtu kam treguar gatishmërinë për të ndërmarrë një reformë zgjedhore dhe një ndryshim të rregullores së kuvendit që trajton më së miri interesat e opozitës dhe nevojat e vendit. Unë mendoj se opozita duhet të heqë dorë nga kërkimi i zgjedhjeve të parakohshme me anë të rrugës pasi ne duam sundimin e ligjit në këtë vend dhe Kushtetuta dhe ligjet e përcaktojnë shumë të qartë se si organizohen zgjedhjet.

Partia Demokratike e Kosovës ka një partneritet shumë të qëndrueshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera të koalicionit të mazhorancës kemi sfida shumë të mëdha përpara për të përballur, prandaj unë i ftoj edhe njëherë përfaqësuesit e opozitës që t’i rikthehen rrugës institucionale dhe të pranojnë propozimet e bëra për të mirë të tyre por edhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version