Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka paralajmëruar organizimin e konventës së re zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës.
Para anëtarëve të Këshillit Drejtues, Veseli ka treguar se PDK-ja shumë shpejt do ta ketë konventën e re zgjedhore.
Veseli ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithëve.
“Kërkohet mobilizim i strukturave në të gjitha nivelet, duke u nisur nga ju dhe përgjegjësitë individuale që i keni. Kërkohet dinamikë e re në aktivitetet e përditshme partiake dhe hapje e partisë për të gjithë njerëzit që kanë ide dhe duan ta shohin Kosovën të ecë përpara. Kërkohet zgjerim dhe thellim i komunikimit me qytetarët në të katër anët e vendit”, është shprehur Veseli.
Në javët e ardhshme, Veseli ka treguar se do t’i prijë vetë këtyre takimeve, duke takuar strukturat e PDK-së dhe qytetarët në të gjithë vendin.
“Do të bashkëbisedoj me ta, të njihem me shqetësimet dhe pritjet e tyre. Vizioni ynë buron nga vullneti i tyre dhe platforma jonë do të jetë realizim i aspiratave të tyre”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se është koha që të PDK-ja të përgatitet për fitoren e radhës.
Veseli ka thënë se PDK-ja gjithmonë i ka merituar fitoret dhe fitoret e saj janë kthyer gjithmonë në garancë për ecjen përpara të shtetit të Kosovës. /Telegrafi/