Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën solemne të Kuvendit, të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shënim të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se pa këtë Lidhje nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me UÇK-në, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin 2008.
“Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore – Lidhja e Prizrenit”, tha Veseli.
LPa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë”, tha Veseli.
Kryeparlamentari tha se “ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të Rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës”.
“Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike”, tha ai. /Telegrafi/