Telegrafi

Veseli: Nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë Hoti, LVV po manipulon me çështjen e mocionit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se në asnjë rrethanë nuk do të jetë pjesë e qeverisë Hoti, ndërsa ka akuzuar rënd edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Veseli ka thënë se nuk do të bëhen riparues të askujt, ndërsa ka thënë se edhe qasja e LVV-së, nuk është e sinqertë.

“Ne jemi opozitë, nuk e di çka po na lodhin. Edhe LVV me ato mbledhje të nënshkrimeve nuk është serioze, por është manipuluese. Ne nuk do të jemi pjesë e kësaj qeverie, s’do të jemi riparues i askujt. LVV nuk do të mund të na mposht neve në opozitë. Ajo po manipulon me çështjen e mocionit, sepse nuk janë votat”, ka thënë Veseli.

Veseli gjithashtu ka thënë se në SHBA, Kosova e ka humbur mundësinë që të arrihet marrëveshja përfundimtare.

“Ne e kemi bërë të qartë pozicionin e PDK-së, ne mendojmë që është shans i humbur takimi në Washington pra në Shtëpinë e Bardhë. Në kulmin e politikës botërore ku ka pasur shans të jetë delegacioni jonë, është pritur shumë gjatë nga qytetarët, ka qenë edhe një shpresë që një proces i dhimbshëm do të përfundonte dhe do të kishte një epilog i cili do të ishte pozitiv. Dhe do të kishim marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, pa cenuar sovranitetin dhe integritetin e vendeve. Ne mendojmë se është dështim i delegacionit tonë, kishim një zmbrapsje, kishim një befasi të pakëndshëm”, tha ai në Kanal 10. /Telegrafi/