Site icon Telegrafi

Veseli: Nuk mund të rrimë në kolltuk pa mundësinë e vendimmarrjes

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për media pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me partnerin e koalicionit për vendimet e mëtejme, por sipas tij, PDK nuk është e interesuar të jetë në pozitë pa mundësinë e marrjes së vendimeve të mëdha në interes të vendit.

Veseli tha se qytetarët e vendit nuk janë të kënaqur me këtë qeverisje dhe duhet progres më i madh.

“Ajo çfarë mund të them është se gjendja në Kosovë nuk është ajo çka duhet të jetë. Gjendja nuk është e kënaqshme. Duhet progres më i madh”, ka thënë Veseli.

Kryetari i PDK-së tha se nuk janë të interesuar të qëndrojnë në kolltuk kur nuk janë në gjendje të marrin vendime.

Por, sipas tij, nuk është opozita ajo që do të vendos për koalicionin parlamentar.

“Nuk do të marrim vendim pro kolltukut por pro interesit të qytetarëve. Jemi në një komunikim intensiv duke pasur parasysh zhvillimet që i kemi. Ka një pakënaqësi nga qytetarët sa i përket vendimmarrjes, njerëzit duan progres”, shtoi tutje Veseli.

Ai tha se do të ruhet stabiliteti i shtetit dhe nuk do të lejojnë kriza. /Telegrafi/

Exit mobile version