Site icon Telegrafi

Veseli: Nuk e kemi fituar luftën që sot të humbim paqen

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, në fjalimin e tij që po e mban në këto momente në Pallatin e Rinisë, tha se Kosova ka një popull punëtor, një rini përplot energji dhe një tokë të begatë.

“Është detyra jonë që gjithë ky potencial të çlirohet dhe shndërrohet në uragan të zhvillimit!
Këtë e presin qytetarët nga ne, nga Partia Demokratike e Kosovës. Sa herë që vendi ynë ndodhet në udhëkryq, populli e kthen kokën nga ne! Unë jam këtu ,për t’ju thënë, se nuk kemi fituar luftën që sot të humbim paqen”, ka thënë Veseli, në fjalimin e tij para të pranishmëve në ditën e dytë të konventës së PDK-së.

Kreu i PDK-së ka ftuar simpatizantët dhe qytetarët që t’i bashkohen atij në Twitter dhe Facebook, për të mësuar më shumë rreth brengave të qytetarëve.

Veseli tha se tanimë ka një vizion të qartë për të ardhmen e përbashkët.

“Unë besoj, se me punë, mund t’i japim vendit një zhvillim të hovshëm ekonomik. Unë besoj, se ky zhvillim, do të vijë nëpërmjet iniciativës së lirë private, konkurrencës së lirë dhe integrimit të Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Rritja ekonomike, mundësohet vetëm përmes krijimit të një klime të përshtatshme biznesi, duke ulur burokracitë dhe formalitetet e tepërta. Ne duhet të nxisim bizneset vendase, që të forcohen e zgjerohen, të stimulojmë të rinjtë e talentuar që të hapin biznese të reja, të bindim diasporën tonë të kthehet e të investojë në atdheun e tyre”, ka thënë ndër të tjerash Kadri Veseli.

Exit mobile version