Telegrafi

Veseli nis takimin me kryesitë e degëve, thotë se PDK është gatshëm për zgjedhje të reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar takim me kryesitë e degëve, ku ka diskutuar rreth mobilizimit të PDK-së për zgjedhjet nacionale.

Veseli ka thënë se PDK ka pasur një proces të brendshëm zgjedhor nga i cili kjo parti është fuqizuar më tutje për t’u ballafaquar me sfidat me të cilat po kalon vendi.

Ai theksoi se PDK është e gatshme që të hyjë në zgjedhjet nacionale, do të ofrojë platformën më të mirë politike.

Lexo po ashtu Tahiri: KQZ nuk ka buxhet nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme

“Ne kemi kaluar nëpër një proces demokratik të brendshëm ku kemi zgjedhur strukturat tona dhe jemi të gatshëm për zgjedhje të reja dhe për çdo sfidë nëpër të cilat po kalon vendi dhe do të ofrojmë platformën më të mirë politike”.

Më tej shtoi se PDK është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe do të ofrojë platformën më të mirë politike për qytetarët, një platformë të zhvillimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës.

“PDK-ja është parti e ndryshimeve të mëdha në vend, parti lider në procese të rëndësishme  të pavarësisë dhe konsolidimit të institucioneve tona, e zhvillimit dhe e mirëqenies. Ne jemi gati që të marrim përgjegjësi të reja për vendin, për proceset që e forcojnë ekonomikisht Kosovën dhe e integrojnë atë në familjen e madhe evropiane”.