Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me rastin e shënimit të përvjetorit të 35-të të demonstratave studentore të vitit 1981, priti në takim një delegacion nga Shoqata e të burgosurve politik të Kosovës.
Në takim u bisedua për rëndësinë e pranverës studentore ’81 në forcimin e vetëdijes politike të shqiptarëve në Kosovës dhe influencën e saj në rritjen e mëtutjeshme të lëvizjes kombëtare për liri, për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë.
Në këtë kontekst, Veseli theksoi se “ngjarjet e vitit 1981, duke vazhduar me shembullin e rezistencës së bacës Adem Demaçi, formësuan modelin e rezistencës ndaj regjimit jugosllav dhe masivizuan pakënaqësinë me këtë regjim”, për të shtuar se “terrori policor ndaj demonstratave të asaj pranvere ishte ekstrem, por lëvizja jonë kombëtare doli më e fuqishme nga ato ngjarje”.
Në takim u bisedua edhe me gjendjen e të burgosurve politikë në Kosovë dhe angazhimet e tyre në proceset aktuale nëpër të cilat është duke kaluar vendi ynë. /Telegrafi/