Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me zyrtarë të lartë të sigurisë, me të cilin ka diskutuar për çështjet e sigurisë në Kosovë dhe Rajon.
Veseli ka thënë se Kosova është e gatshme dhe i ka kryer të gjitha përgatitjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).
Me këtë rast, Veseli ka falënderuar zyrtarët e lartë të Pentagonit për ndihmën e pakursyer që SHBA i ka dhënë Kosovës në përgatitjen e kuadrove dhe në avancimin e FSK-së, në mënyrë që suksesshëm të transformohet në FAK.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Veseli nga Pentagoni ka treguar për takimet me zyrtarët e lartë amerikan, me të cilët ka diskutuar për FAK-un.
“I nderuar me vizitën në Pentagon dhe i kënaqur me mbështetjen për Kosovën, gjatë qëndrimit në SHBA. Me zyrtarët e lartë amerikanë të sigurisë, mes tjerash, diskutuam për Forcat e Armatosura të Kosovës, që do të krijohen së shpejti në partneritet të plotë me SHBA-të. Moment i veçantë ishe edhe nënshkrimi në Memorialin e 11 Shtatorit, në nderim të viktimave”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ai, po ashtu, ka marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Washington, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. /Telegrafi/