Telegrafi

Veseli: Nga mesi i vitit të ardhshëm, asnjë pacient nuk do ketë nevojë të blejë barna

Në hapjen e repartit të rinovuar të Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se deri në mesin e vitit të ardhshëm, përkatësisht deri në qershor, asnjë pacient mos të ketë nevojë të blejë barna në mënyrë private.

Në hapje të këtij reparti morën pjesë kryeministri, Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Shteti i Kosovës jemi të vendosur të shkojmë deri në fund që qytetarët tanë denjësisht të trajtohen, mos të kenë nevojë të dalin jashtë vendit për shërbime shëndetësore. Do t’i përkrahim në çdo aspekt, do t’i përkrahim personelin shëndetësor. Do t’i ngrisim pagat e gjithë personelit shëndetësor. Deri në mesin e vitit tjetër, deri në qershor, asnjë pacient mos të ketë nevojë të blejë barna në mënyrë private. T’i paguajmë tatimet, përmes parave të taksapaguesve në arrijmë me i bë këto renovimet”, ka thënë ndër tjerash Veseli, përcjell kp.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka bërë të ditur se i gjithë investimi ka kushtuar 450 mijë euro.

“Rreth gjysmë milioni euro investime, për transformimin e Emergjencës në një Klinikë moderne, të pajisur me aparaturë të teknologjisë së fundit, të denjë për të pritur qytetarët tanë në nevojë. E drejta për jetë është e panegociueshme, e me rinovimin e kësaj klinike ne kemi rritur shanset për mbijetesë të gjithsecilit që kërkon trajtim emergjent. Sot, të gjithë jemi më të sigurt. Urime të gjithëve!”, ka thënë ministri Ismaili. /Telegrafi/