Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka vizituar kopshtin “Mollëkuqja” në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Gjatë vizitës ai tha “se gratë janë të suksesshme në ndërmarrësi, por pa fuqizimin e rolit të gruas dhe pa përkrahjen e bizneseve, që po bëjnë përpjekje për të ecur përpara, nuk mund të ketë zhvillim dhe prosperitet”.
“Kosovës i duhet një fillim i ri. Një fillim i ri i cili është në të mirën e qytetarëve tanë, në të mirën e fëmijëve tanë. Një fillim i ri i cili krijon perspektivë dhe vende pune këtu në Kosovë e jo për të ikur nga Kosova. Një fillim i ri që fuqizon prodhuesit tanë, që ju ndihmon atyre dhe jo vetëm që u kërkon taksa”, ka thënë kryetari Veseli.
Në kopshtin “Mollëkuqja”, bashkë me kryetarin Veseli ishte edhe anëtarja e re e PDK-së, Arbana Xharra, e cila tha se duhet të merren vendime që sjellin ndryshimin e kërkuar prej qytetarëve.
“Duhet të përfundojë koha e retorikave. Duhet me pas guxim me marrë vendime, me pas guxim me sjell ndryshimin”, ka thënë Xharra.