Telegrafi

Veseli nga Helsinki thotë se ka marrë mbështetje nga Finlanda për vizat dhe INTERPOL-in (Video)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po qëndron në Finlandë në një vizitë zyrtare.

Veseli në një intervistë për emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka folur për takimin që ai ka pasur me diasporën tonë në Finlandë.

“Çdo takim me diasporën tonë është një kënaqësi, por ne jemi të kënaqur me integrimin që ka bërë diaspora jonë në Finland…Mikëpritja e tyre tradicionale, që janë shpirtërisht të lidhur me Kosovën,  është diçka e jashtëzakonshme”, tregon Veseli.

Duke folur për takimet që ai ka pasur më kryeparlamentarin e Finlandës dhe ministrin e brendshëm të këtij shteti, Veseli ka thënë se Finlanda është mbështetëse e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

“Kemi mbështetje nga Finlanda edhe për Interpolin edhe për vizat. Kemi mbështetje nga të gjitha forcat politike atje, edhe nga e djathta konservatore edhe nga qendra apo socialdemokratët ata na mbështesin. Finlanda është afër nesh, por do të vazhdojë lobimin edhe në vende tjera”, deklaroi Veseli.

Veseli ka thënë se pavarësisht nëse Kosovës i liberalizohen vizat apo jo, qytetarët duhet t’i besojnë Bashkimit Evropian.

“Ne duhet t’i besojmë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse ne kemi identitet perëndimor, evropian. Problemet që i ka Bashkimi Evropian brenda vetës, që po na rrokullisen neve për vizat, janë të padrejta, por nuk duhet të shkatërrojmë atë që kemi arritur në raport me BE-në”, deklaroi nga Helsinki kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli./Telegrafi/