Telegrafi

Veseli nënshkruan vendimin për shpërndarje, ia procedon Presidentit

Pak minuta pas votimit të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit, kreu i legjislaturës së gjashtë Kadri Veseli e ka nënshkruar këtë vendim.

Atë ia ka nisur Presidentit Hashim Thaçi i cili më pas mund të procedojë me shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme,njofto Klan Kosova.

Sipas Kushtetutës zgjedhjet e reja do të mbahen brenda 45 ditësh – nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Postimi i plotë:

Si Kryetar i Kuvendit i kam marrë të gjitha iniciativat ligjore dhe kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më vjen mirë që sot të gjitha partitë politike iu bashkuan iniciativës sime dhe votuan për shpërndarjen e Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sapo nënshkrova edhe zyrtarisht vendimin për shpërndarjen e saj.

Në këtë legjislaturë nuk ka pasur mjaftueshëm gra dhe të rinj. Shpresoj të shoh më shumë në mandatin e ardhshëm. Sa i përket PDK-së, jam i sigurt që do të ketë shumë të rinj dhe gra në listën e saj.

Ne u përpoqëm shumë që të merrnim një shumicë mbështetëse për iniciativat tona kundër korrupsionit.

Në mandatin tjetër do të jetë ndryshe, pasi ne do të vendosim një kod të ri etik. /Telegrafi/