Kandiati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, në takim me përfaqësuesit e pensionistëve, u ka premtuar se në qeverisjen e tij do t’i rris pensionet e tyre deri në 80 për qind.
Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se të gjithë pensionistët kontributdhënës me përvojë pune nën 15 vjeçare, që aktualisht janë në skemën e pensioneve themelore, do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës.
Ndër të tjera ai ka thënë se në qeverisjene tij do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65 vjeçare.
Postimi i plotë i Veselit:
Është përgjegjësi morale që të tregojmë mirënjohje ndaj të moshuarve për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që ata të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Ne e kemi inkurajuar gjithmonë solidaritetin mes gjeneratave dhe shtetit do t’i japim rol shumë më aktiv për t’u kujdesur për të gjithë të moshuarit.
Para përfaqësuesve të pensionistëve, si kryeministër i ardhshëm u zotova se do t’i rris pensionet e tyre deri në 80 për qind. Po ashtu, të gjithë pensionistët kontributdhënës me përvojë pune nën 15 vjeçare, që aktualisht janë në skemën e pensioneve themelore, do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës. Ata do të marrin pensione me rritje, sipas përqindjes së përshkallëzuar, bazuar në kohëzgjatjen e viteve të punës dhe në kriteret e strukturës kualifikuese.
Për ta rritur kujdesin ndaj të moshuarve, unë do ta njoh dhe do ta promovoj edhe profesionin e “kujdestarit për të moshuar” dhe qeveria ime do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65 vjeçare.
Të gjithë pensionistët i siguroj se nipat dhe mbesat e tyre më nuk do të largohen, por do të qëndrojnë në Kosovë.
Votoni Partinë Demokratike të Kosovës dhe numrin 112. #PDK112/Telegrafi/