Site icon Telegrafi

Veseli në Mitrovicë shpjegon kuptimin e sloganit “Fillimi i Ri”

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli gjatë tubimit në qytetin e Mitrovicës ka bërë me dije edhe njëherë se Kosova me fitoren e PDK-së do ta ketë një transformim të fuqishëm ekonomik.

“11 Qershori, Mitrovica do të fitojë fortë me fitoren e PDK-së së madhe.  Mitrovica si gjithë Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, ka nevojë për fabrika, ka nevojë për një Trepçë të fuqishme, për vende të reja pune, Mitrovica ke nevojë për PDK-në dhe për një “Fillim të Ri”, tha Veseli, njofton Klan Kosova.

Veseli shpjegoi sërish çka nënkupton “Fillimi i Ri”.

“Fillimi i ri, për mua si qytetarë, për familjen, kombin, shtetin. Fillimi i Ri është transformim i fuqishëm ekonomik i Kosovës sonë të dashur.  Rifuqizim i ndërmarrësve tanë që janë heronj të lirisë, që krijojnë vende të reja pune, këra janë ata që me fillim të ri do të ndihmohen”, tha Veseli.

“Ne kemi aktualisht 60 mijë biznese në Kosovë, nëse i fuqizojmë këto biznese, ata do të zhvillojnë më shumë veprimtarinë e tyre në biznes, të dyfishojnë numrin e të punësuarve, kështu krijohen 60 mijë vende pune”.

“Do t’i përkrahim shumë ata njerëz që me djersën e ballit punojnë, dhe jetojnë ndershëm dhe mundohen të krijojnë prodhim cilësor”.

“300 milionë euro i nxjerrim jashtë Kosovës, në vend se t’ i kthejmë ato në Kosovë tek fermerët tanë, ne do ta dyfishojmë buxhetin për bujqësi”.

Veseli ka folur për sektorin e shëndetësisë.

“Gra e burra të cilët i shërbejnë shëndetit tonë, me shpirt e profesionalizëm, ata janë për ne çdo moment për të na shërbyer, po ne duhet t’i ndihmojmë ata”, tha ai.

“200 milionë euro dalin çdo vit jashtë Kosovës në vend se të mbesin tek doktorët tanë, Do ta bëjmë këtë, do të përkrahim doktorët tanë, nuk do të lejojmë që doktorët tanë të përgatiten e të dalin jashtë Kosovës”.

Veseli ka premtuar rritjen e pagave për shërbyesit e sektorit të shëndetësisë.

Por këtu kreu i PDK-së nuk harroi të premtojë edhe rritje të pensioneve.

“Pensionistët, si mund të kemi fuqizim të rinjve kur nuk respektojmë të rinjtë, edhe i vjetri ka qenë dikur i ri, do të rrisim pensionet, do të mundohemi të largojmë barrën e rëndë të tyrë për barnat, të gjitha këto do t’i merr përgjegjësi buxheti i Kosovës sepse ka obligim ndaj këtyre njerëzve, ky është ajo çfarë do të bëjmë”, ka përfunduar ai. /Klan Kosova/

Exit mobile version