Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se me rrënimin e murit në Mitrovicë ka fituar ligji, kanë fituar institucionet, ka fituar republika e Kosovës, ka fituar qytetari.
Veseli duke folur në interpelancën për kryeministrin Mustafa, ka thënë se propaganda e Serbisë se shqiptarët do t’i sulmojnë qytetarët serbë në veri nuk qëndron.
“Nuk do ta cenojmë asnjë qytetarë të Republikës sonë”, ka thënë Veseli, trnasmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se sot nuk jemi as heronj, as viktima por as përfitues.
“Është mirë të orientohemi për pjesën e së ardhmes, qytetarët serbë duhet të jetojnë të qetë me të gjithë qytetarët e tjerë në Kosovë”, tha Veseli duke premtuar se Republika e Kosovës do të investojë në veri për të gjithë, dhe se nuk do të lejojnë cenimin e të drejtave të tyre.
Kryeparlamentari ka theksuar se duhet të distancohemi nga strukturat paralele ku sipas tij, shumë nga pjesëtarët tyre janë pjesë e krimit të organizuar.
Veseli ka shtuar se ata të cilët kanë uzurpuar pronat në veri të vendit duhet t’i lirojnë ato shumë shpejt
Krejt në fund Veseli u ka bërë thirrje banorëve të asaj pjese që të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre.
“Mos i lëshoni shtëpitë e juaja, mos i shitni, rrini aty ku jeni do ta keni mbrojtjen dhe përkrahjen e institucioneve të Kosovës”, tha Veseli.
Veseli gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare nuk ka kursyer as talljet me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai u tha deputetëve të VV-së se nëse dëshirojnë të shkojnë në Veri ai nuk do t’i ndalë.
Kështu iu përgjigj akuzave të Albin Kurtit i cili sot në fjalimin e tij në Kuvend, akuzoi Veselin dhe presidentin Thaçi se më 1999 i kanë ndaluar shqiptarët që të shkojnë në veri.
Duke mos ia përmendur emrin Kurtit, por duke iu përgjigjur me shaka, tha se më 1999 janë kujdesur për ruajtjen e jetës së qytetarëve për të shmangur luftën pas lirisë së Kosovës.
“Po e jap fjalën publikisht, nëse shkon dikush prej këtij Kuvendi, të dalë andej, kurrë s’kam për t’i dalë përpara dhe t’i them ‘ndalu’. Do t’i them shko, shko, nuk e ndal, le të shkojë”, tha Veseli./Telegrafi/