Site icon Telegrafi

Veseli në Klinë: “Fillimi i Ri” do ta transformojë Kosovën ekonomikisht

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të dielën në Klinë strukturat e partisë dhe qindra simpatizantë për mobilizimin në zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa ka shpalosur para tyre konceptin e platformës qeverisëse “Fillimi i Ri”.

Kreu i PDK-së tha se “Fillimi i Ri” do të fokusohet tërësisht në zhvillimin ekonomik të vendit në mënyrë që të arrijmë rritje ekonomike prej tetë për qind

“Koncepti i fillimit të ri është një transformim i fuqishëm, rrënjësor i ekonomisë sonë. Ndihmesa pikërisht e këtyre bizneseve të cilat janë aktualisht, 60 mijë biznese. Vetëm të ju ndihmojmë më shumë atyre me politika ekonomike lehtësuese, 60 mijë vende të reja të punës mund t’i krijojmë vetëm nga këto biznese”, tha ai.

Veseli po ashtu foli edhe për investime në sektorë të ndryshëm që do të bëhen gjatë qeverisjes së koalicionit PDK-AAK-NISMA. Ai tha se bujqësia do të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe me këtë rast premtoi se buxheti do të dyfishohet, duke ndarë 120 milionë euro për grante dhe subvencione, çdo vit.

Ai tha edhe se do të ketë rritje të pensioneve dhe pagave.

“Do t’i rrisim pensionet e pensionistëve, 25 %. Kjo nuk do të jetë e tëra, kjo do të ndodhë shumë shpejt. Përveç rritjes se pagave në sektorin publik 30 %, pensionet do të rriten 25 % në fazën e parë, menjëherë. Pa i respektuar të moshuarit s’mund e ndërton të ardhmen”, deklaroi Veseli.

Në fjalën e tij, Veseli tha se shëndetësia po ashtu do të jetë prioritet. Mjekët, tha ai, do të gjejnë punësim brenda Kosovës në mënyrë që mos të shpenzohen miliona euro për shërim jashtë vendit.

Një fokus i veçantë, tha Veseli do t’i kushtohet rinisë dhe grave, pasi siç tha ai, pa angazhimin e tyre nuk mund të ketë zhvillim të vendit në të gjitha drejtimet.

Exit mobile version