Site icon Telegrafi

Veseli në Budapest takon homologët rajonalë, Ruçi, Xhaferi e Brajoviq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Budapest, ku mori pjesë në Konferencën e tetë ndërkombëtare të kryetarëve të Parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, është takuar me homologë të tij rajonalë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës është ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe atë të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Në ketë takim, të realizuar në Ambasadën e Shqipërisë në Budapest, kryetarët e tri parlamenteve diskutuan për bashkëpunimin ndërparlamentar dhe për zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Të tre homologët u pajtuan se rajoni ka përjetuar zhvillime të rëndësishme, si në sferën e bashkëpunimit, ashtu edhe të integrimit euro-atlantik, por theksuan nevojën e një përkushtimi më të madh të të gjithë faktorëve relevantë, në mënyrë që Ballkani të zë hapin në këtë rrugëtim.

Veseli, Ruçi dhe Xhaferi theksuan se modelin e bashkëpunimit midis Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duhet ta ndjekin edhe vendet e tjera rajonale, në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit. Ata vlerësuan se integrimi euro-atlantik mbetet alternativë e vetme dhe mision parësor i vendeve që përfaqësojnë.

Gjatë ditës së sotme, kryeparlamentari Veseli ka zhvilluar edhe një takim bilateral me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe avancimin e përbashkët në rrugën e integrimeve euro-atlantike.​ /Telegrafi/

Exit mobile version