Kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli, në fjalimin e tij para mijëra simpatizantëve të PDK-së ka bërë një përshkrim të gjenezës së PDK-së.
Veseli ka thënë se PDK është organizata politike që e ka luajtur rolin vendimtar në të gjitha proceset historike të dy dekadave të fundit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë forca shtytëse e çlirimit, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit. Parti, e cila më së miri u ka dhënë përgjigje kërkesave dhe nevojave historike të vendit tonë”, ka shtuar Veseli.
Ai ka thënë se PDK ka kaluar nëpër rrugë të vështirë, me plot mund e sakrifica të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Veseli ka shprehur respekt të veçantë për luftëtarët e lirisë që në kohët më të vështira i dolën Zot atdheut, për invalidët e luftës, ish të burgosurit politikë, familjet e dëshmorëve, familjet e të pagjeturve dhe martirëve, si dhe të gjithë ata që sot e kësaj dite bartin plagët e luftës për liri.
“Kjo luftë ishte gjeneza e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe këtë ne nuk duhet ta harrojmë kurrë! Në këtë rrugëtim të mundimshëm dhe heroik, meritat e veçanta i takojnë themeluesit të Partisë Demokratike të Kosovës, ish kryetarit të saj, Hashim Thaçit”, ka thënë Veseli.