Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në inaugurimin e Kompleksit Memorial “Baza e parë e UÇK-së”, në fshatin Lladofc të Podujevës.
Në fjalën e tij, kryetari Veseli tha se Kosova duhet të jetë krenare me veprën e lavdishme të bijave dhe bijve të tij, të cilët në kohën kur terrori dhe shtypja mbi popullin tonë kishte arritur kulmin, vunë në shërbim të lirisë së saj gjakun dhe jetën e tyre.
Veseli tha se në këtë bazë të UÇK-së, djemtë më të mirë të lëvizjes kombëtare nga e gjithë Kosova, mblidheshin për ta mbajtur gjallë shpresën dhe besimin në çlirimin e atdheut dhe për të organizuar aksionet e para të rezistencës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jemi së bashku sot në këtu në Lladovc për të përjetësuar një shenjë të historisë sonë më të re. Ky monument është shenjë e lirisë sonë, shenjë e mundit dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi. Këtu, ashtu sikurse në shumë vende tjera të Kosovës, si në Prekaz, Shqiponjë të Gjakovës, jo vetëm që u organizuan aksionet e rezistencës, por u projektua edhe platforma e luftës sonë të drejtë çlirimtare, kauza jonë e lirisë, e cila mori mbështetjen e gjithë botës demokratike”, theksoi kryetari Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli tha se sot, mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për lirinë e kuptuar si zhvillim ekonomik, si mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe familjet e tyre.
“Sot kemi nevojë për lirinë pa varfëri dhe papunësi, për lirinë e kuptuar si arsimim më i mirë për fëmijët dhe të rinjtë tanë, si sistem shëndetësor kualitativ për njerëzit tanë. Kjo është sfida jonë më e madhe që kemi përpara”, theksoi kreu i Kuvendit. /Telegrafi/