Site icon Telegrafi

Veseli: Mirënjohje për gratë si Sevdije Azemi, që kanë dhënë kontribut kyç në përpjekjet për liri e pavarësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot Sevdije Azemi në shtëpinë e saj në Zhabar të Epërm të Mitrovicës, të cilën e ka falënderuar për kontributin e saj të veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sevdije Azemi u arrestua dhe u dënua për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989, kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës.

Ajo vuajti 11 muaj e 1 javë në burg, ndërsa kishte lënë të vetëm në shtëpi shtatë fëmijë, të gjithë të mitur dhe historia e saj u bë një simbol i grave qëndrese në atë kohë.

Veseli tha se kontributi i zonjës Sevdije dhe gjitha grave shqiptare për liri e pavarësi nuk do të harrohet kurrë.

“Kam ardhur me ju vizituar, në shenjë respekti dhe falënderimi për veprën tënde, që është shembull i jashtëzakonshëm në një moment i cili ka qenë i rëndë. Unë atëherë kam qenë në Lëvizjen Studentore dhe e mbajë në mend mirë edhe si ngjarje edhe si lëvizje. Veprimi juaj ka qenë veprim të cilin se kemi pritur askush, ka qenë i jashtëzakonshëm. Me dalë nga shtëpia kur keni pasur shtatë fëmijë dhe me u ballafaquar drejtpërdrejt dhe me rreziku, edhe mi mbrojë drejtat e shqiptarëve edhe më kërkua mbrojtje edhe në nivelin ndërkombëtarë”, tha Veseli.

Nga ana e saj, Sevdije Azemi falënderoi kreun e PDK-së për punën dhe angazhimet e tij për liri dhe shtet ndërtim, si dhe për vizitën që i ka bërë.

Ajo tha se për kontributin për liri ka qenë në gjendje të sakrifikuar gjithçka.

“S’ka shqiptarë që nuk ka vuajtur e qe s’ka përjetuar vështirësi. Për mua 7 fëmijë me i lënë nuk ka qenë e lehtë, por liria është mbi të gjitha. 11 muaj kam qëndruar në burg. Në Zhabar të Epërm na kanë arrestuar. Kur na kanë dërguar në një dhomë, aty e kam ndje Kosovën që është e lirë, çka më kanë thënë ua kom kthyer dyfish. Nuk kam pasur frikë. Për liri për Atdhe e dha jetën dhe ç’do gjë. Liria është më e shtrenjtë se çdo gjë”, tha Azemi.

Exit mobile version