Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka falënderuar të gjithë bashkëluftëtarët dhe qytetarët për mbështetjen e treguar këto ditë dhe për gatishmërinë e secilit për t’iu gjetur pranë.
Lideri i PDK-së, përmes një video adresimi u është drejtuar me një lutje të gjithë bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
“Në këtë kohë të pandemisë, si në gjithë botën, kemi shqetësim jetën e qytetarëve. Nuk dua që për jetën time të rrezikohet asnjë jetë. Sepse, ky edhe ishte qëllimi i luftës sonë. Të jetojmë të lirë, pa u rrezikuar asnjë jetë. Jeta e secilit vlen.
Prandaj, me mirëkuptimin më të madh, dhe kërkesën më të sinqertë, i lus bashkëluftëtarët e mi dhe të gjithë qytetarët që ta anulojnë këtë protestë”, ka thënë ndër të tjera Veseli në video adresim.
Adresimi i plotë i kreut të PDK: Kadri Veselit:
Të dashur qytetarë,
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur një protestë për datën 9 korrik, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë të drejtë për liri dhe pavarësi.
I falënderoj nga zemra bashkëluftëtarët e mi për mbështetjen e pakursyer.
Gjatë kësaj kohe kam marrë shumë mesazhe përkrahjeje dhe i falënderoj të gjithë qytetarët – që janë me ne në këto momente.
E vlerësoj maturinë në këtë situatë.
E kuptoj dhe e ndjej thellësisht gatishmërinë e secilit për të na u gjetur pranë. Neve dhe Kosovës.
Por, në këtë kohë të pandemisë, si në gjithë botën, kemi shqetësim jetën e qytetarëve.
Nuk dua që për jetën time të rrezikohet asnjë jetë.
Sepse, ky edhe ishte qëllimi i luftës sonë. Të jetojmë të lirë, pa u rrezikuar asnjë jetë. Jeta e secilit vlen.
Prandaj, me mirëkuptimin më të madh, dhe kërkesën më të sinqertë, i lus bashkëluftëtarët e mi dhe të gjithë qytetarët që ta anulojnë këtë protestë.
Të dashur qytetarë
Rrugëtimi i Kosovës për liri dhe pavarësi nuk ka qenë i lehtë.
Ishte përpjekje e shumë brezave. Gjyshërit tanë, prindërit tanë, gra e burra, pleq e të rinj, kanë bërë sakrifica të mëdha e të rënda.
Kosova dhe familjet në Kosovë kanë përjetuar dhunë të madhe nga shteti serb.
Por, duke qenë bashkë, ia kemi dalë ta realizojmë atë që dukej e pamundur.
Lirinë dhe Shtetin e Kosovës.
Ëndrrën shekullore të krejt angazhimit tonë historik, që duhet t’ia njohim peshën.
Dhe këtë histori të lavdishme nuk mund ta zhbëjë as ta rishkruajë askush.
Sepse, është histori e popullit të Kosovës, e vuajtjeve tona dhe e sakrificës së përbashkët, por edhe e rezistencës dhe e lavdisë.
Gjeneratave të reja u takon që ta mësojnë drejt historinë e vërtetë të lirisë dhe shtetit të Kosovës, dhe ta mbrojnë atë. Që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë mbrojtëse, e pastër dhe për të drejtat tona.
E sotmja dhe e ardhmja e këtij shteti dhe e këtij kombi është e pandalshme, është e ndritur dhe do të jetë e sigurt.