Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se hapja e kufirit me Shqipërinë nuk do duhej të përbënte lajm sot po të kishte Kosova një qeveri normale që ndërton ura dhe nuk ngritë pengesa mes shqiptarëve.
Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kufiri i shembur para dy dekadash me armë kurrë nuk do të duhej të mbyllej me vendime politike.
Postimi i plotë i Veselit:
“Hapja e kufirit me Shqipërinë nuk duhej të përbënte lajm sot po të kishte Kosova një qeveri normale që ndërton ura dhe nuk ngritë pengesa mes shqiptarëve. Ky kufi i shembur para dy dekadash me armë kurrë nuk do të duhej të mbyllej me vendime politike. Muajt e humbur ti kthejmë në mundësi për ta vizituar sa më shumë Shqipërinë dhe anasjelltas. Shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve tona duhet të intensifikohet veçmas pas situatës së rënduar nga pandemia. Të angazhohemi të gjithë për t’i rrëzuar pengesat e fundit mes Kosovës e Shqipërisë ?? ??“, ka shkruar Veseli, pvrcjell Telegrafi.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të dielën, ka miratuar disa masa lehtësuese të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se nga e hëna (8 qershor), qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore, do t’u merren të dhënat, që më pas Qendrat e Mjekësisë Familjare, në komunat përkatëse do të monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore.
Zemaj tha se me këto veprime do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, veçanërisht e qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Ai po ashtu kërkoi që të rritet numri i inspektorëve, të cilët do të monitorojnë nëse qytetarët, bizneset dhe institucionet e tjera, po respektojnë rekomandimet për të frenuar përhapjen e koronavirusit. /Telegrafi/