Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, para ish-ministrit të Donald Trumpit dhe mijëra qytetarëve në Gjilan, ka folur edhe për luftën në Kosovë dhe mbështetjen amerikane.
“Në vitin 1999, unë e kam parë me sytë e mi shpresën që lindi te populli ynë, si rezultat i bashkëpunimit tonë me NATO-n dhe Amerikën. Së bashku, ne shpëtuam jetë, u dhamë shpresë njerëzve, e çliruam Kosovën. Ne duhet ta fuqizojmë këtë partneritet sikur ato ditë të vitit 1999. Ne duhet të shkojmë drejt një rruge partneriteti të aleatëve që ecin së bashku drejt një të ardhme më të mirë. Unë do të bëj këtë! Ky është misioni im! Unë do ta mbroj Kosovën. Unë do t’i ndryshoj prioritetet e Qeverisë. Të rinjtë po na largohen nga vendi, por unë do t’i jap fund kësaj. Qeveria që do ta drejtoj unë, do të investojë shumë te të rinjtë, në idetë e tyre krijuese”, ka thënë Veseli.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se ashtu si u dhashë atyre një shans në partinë time dhe ata bënë gjëra të mrekullueshme, ashtu do t’u ofroj të rinjve tanë mundësi reale për të pasur sukses, për të jetuar dhe punuar këtu.
“Qeveria që do ta drejtoj unë, do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin, do ta zhvillojë ekonominë, do të krijojë vende pune të qëndrueshme dhe do të ofrojë të ardhme për të rinjtë tanë që të qëndrojnë këtu. Korrupsioni është shqetësim global dhe luftimi i tij është prioritet absolut. Edhe për Presidentin Trump. Edhe për ne në Kosovë. Siç e tha edhe miku ynë, Matt Whitaker, një personalitet i respektuar që ka udhëhequr në nivelin më të lartë sistemin amerikan të drejtësisë, për këtë duhen vepra dhe jo fjalë!”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se pikërisht këtë do ta bëj, duke vepruar fuqishëm kundër korrupsionit dhe për këtë ka plan të qartë dhe konkret.
“Qeveria e kryesuar nga unë, nuk do të funksionojë e vetme. Ne do t’i bëjmë gjërat së bashku me aleatët tanë, sepse e kuptojmë që së bashku jemi më të fortë. Ne do ta ndërtojmë të ardhmen së bashku! Së bashku me Amerikën, lufta jonë kundër korrupsionit do të jetë më e fortë! Së bashku me Amerikën, ne do të jemi në gjendje ta zhvillojmë ekonominë tonë më shpejt! Do të përkrah ndërmarrësit dhe inovatorët e rinj, do të legalizoj pronat, do të mbështes familjet e dëshmorëve dhe veteranët, do të rris pensionet. Do t’i avancojmë universitetet tona dhe sistemin arsimor. Do ta përmirësojmë më tutje sistemin shëndetësor”, ka thënë Veseli.