Telegrafi

Veseli: “Lista sekrete” nuk e ndihmon askënd!

“Nga ajo që po përflitet nëpër media vërehet se ajo ishte një përpjekje për të ndikuar njëanshëm në organogramin e këtij procesi zgjedhor. Por, çfarëdo që të kenë qenë qëllimet, prapëseprapë gjatë numërimit të votave, deri në këto momente, kandidati Memli Krasniqi nuk ka marrë më shumë vota se unë dhe Lirak Çelaj”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Në prag të takimit të Kuvendit Zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë, siç raportonte portali “Lajme Shqip”, ishte shpërndarë një listë së cilës i prinë kandidati për kryetar të degës, Memli Krasniqi, e cila vlerësohej se ishte përgatitur për të ndikuar te delegatët e kësaj dege që të votojnë për emrat e preferuar nga ai.

Në këtë listë thuhet se janë renditur emrat e personave që preferoheshin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues të Degës së PDK-së në Prishtinë, e që besohet se janë të preferuarit e kreut të partisë Hashim Thaçi. Ka pasur pretendime se shefi partiak e mbështet Memli Krasniqin, por gjatë një deklarimi publik Thaçi ka thënë se askush nuk duhet të llogarisë mbështetjen e tij në këtë garë.

Ndërkohë, Shemsi Veseli ka vlerësuar se procesi zgjedhor në aspektin procedural ka qenë shumë i rregullt, dhe për këtë ka thënë se duhet falënderuar kandidatët Krasniqi e Çelaj, dhe sidomos kryetarin e deritashëm të degës, Ramadan Avdiu.

Pas zgjedhjes së Këshillit Drejtues të Degës, pritet të formohet Kryesia e partisë e cila më pas e zgjedhë kryetarin. Veseli ka thënë se nuk është e sigurt se sa kohë do të marrë kjo, por ka mundësi që të zgjasë deri në janarin e vitit të ardhshëm. /Telegrafi/