Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kërkesën e opozitës për mbajtjen e seancës e ka quajtur lajm të mirë.
Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në një prononcim për media ka thënë se pas seancës së jashtëzakonshme, do të mbahet edhe seanca e rregullt në të cilën do të jenë në rend dite 26 pika.
“E dini që 53 deputetë përmes nënshkrimeve kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme, në aspektin legal dhe procedural është e rregullt për ditën e nesërme. Ndërkohë që Kryesia e Kuvendit ka marr vendim që pas seancës së jashtëzakonshme të vazhdojmë dhe me seancën e zakonshme, në mënyrë që të votojnë edhe 26 pika tjera…. Është lajm i mirë se opozita po kthehet në Kuvend. Të jemi korrekt, një pjesë janë treguar korrekt edhe më herët pasi i kanë votuar këto marrëveshje, me shpresë që do të fillojmë të kemi reflektim të tillë pozitiv karshi atyre që na kanë votuar”, ka thënë Veseli.
“Besoj shumë shpejt në këtë frymë pa seancë të jashtëzakonshme se për besë nuk ka shumë nevojë për seanca të jashtëzakonshme të kemi dhe një seancë plenare që t’i shkrijmë ato dy seancat e jashtëzakonshme që ta kemi një rezolutë të përbashkët për konsensusin nacional dhe në të njëjtën kohë të krijojmë ekipin e përbashkët i cili do të ketë mandatin edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendit që të ballafaqohet në finalen e madhe në dialogun me Serbinë që Kosova të fitoj ulësen në OKB si sovrane e pacenuar në territorin e vet dhe në të njëjtën kohë si unitare”, ka thënë Veseli.
Sa i përket çështjes së korrigjimit të territoreve me Serbinë, Veseli ritheksoi që Kosova është e pandashme.
“Është një fat i mirë, që të gjitha deklaratat që i japim janë publike. Ka katër muaj që mundohem çdo ditë të paraqes mendimin tim. Ne si bartës të përgjegjësive politike, na u kanë që pesë muaj. Kjo ka qenë arsyeja pse kam kërkuar tryezë të partive politike, Kosova është e pandashme, për mua si kryetar i PDK-së, është një. Sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Kosova do të jetë më e zëshme për shqiptarët kudo që janë veçanërisht për ata të Luginë së Preshevës”, theksoi ai. /Telegrafi/