Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se krimineli serb i luftës Vojsllav Sheshel ka provokuar sërish Kosovën duke bërë thirrje për agresion ushtarak ndaj sovranitetit të Kosovës.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Veseli, e ka quajtur Sheshelin fosil të shovinizmit të shekullit të kaluar, dhe propagandues i iluzioneve të dështuara për Serbi të Madhe, që sipas Veselit duhet ta kuptojë që koha e tij ka perënduar moti dhe se liria e Kosovës e fituar 20 vjet më parë është e pakthyeshme.
“Krimineli i luftës Vojsllav Sheshel, me gjuhën e tij tipike të urrejtjes dhe me kërcënimin e luftës ka provokuar sërish Kosovën duke bërë thirrje për agresion ushtrak ndaj sovranitetit tonë. Shesheli dhe paramilitarët që e kanë ndjekur, e kanë treguar botërisht mungesën e burrërisë në luftë, sepse nuk kanë guxuar të ballafaqohen me ne luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kanë masakruar civilë të paarmatosur, gra pleq e fëmijë të pafajshëm. Ky fosil i shovinizmit të shekullit të kaluar dhe propagandues i iluzioneve të dështuara për Serbi të Madhe, duhet ta kuptojë që koha e tij ka perënduar moti dhe se liria e Kosovës e fituar 20 vjet më parë është e pakthyeshme”, ka shkruar Veseli./Telegrafi/