Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka përkujtuar sot ditën e Holokaustit, ndërsa ka shprehur krenarinë që ka populli shqiptar për ndihmën që u kanë dhënë popullit hebre.
Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Ushtria Çlirimtare të Kosovës, ishte lëvizja e fundit antifashiste në historinë evropiane të Shekullit XX.
“Në ditën e përkujtimit ndërkombëtar të Holokaustit, Kosova nderon kujtimin e miliona viktimave të ideologjisë naziste. Njëkohësisht kujtojmë burrat dhe gratë e kombit tonë që gjetën forcë e guxim për t’i mbrojtur qindra familje hebreje nga persekutimi nazist.
Ne ndihemi krenarë që jemi pasardhës të këtyre heronjve të solidaritetit e shpresës njerëzore. Ne jemi krenarë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila është lëvizja e fundit antifashiste në historinë evropiane të Shekullit XX”, ka shkruar Veseli, përcjell Telegrafi.