Site icon Telegrafi

Veseli: Kosova sot i tha po dialogut që e anëtarëson në OKB me sovranitet të plotë

Kryetari Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i koalicionit qeveritar, deklaroi pas miratimit të ligjit dhe platformës për dialogun final se Kosova sot i tha po dialogut i cili do t’i siguroj ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me sovranitet të plotë.

“Nga sot Republika e Kosovës, është gati të ballafaqohet në procesin e dialogut final i cili do të thotë për ne vetëm ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të thotë shtetësi e plotë, sovranitet i plotë, jo asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jo cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha Kryeparlamentari Veseli i cili i falënderoi deputetët që votuan për ligjin e dialogut dhe platformën për këtë proces.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ftoi sërish deputetët e opozitës që ti bashkohen procesit të dialogut.

“Thërras kolegët e opozitës që të bëhen pjesë e këtij procesi. Pjesëmarrja e tyre në procesin e ballafaqimit përfundimtar me Serbinë, i ndihmon vetëm Kosovës, nuk i ndihmon specifikisht luftës politike një partie të caktuar as për të fituar e as për të humbur. Kjo për arsye se pa Kosovën shtet sovran, pa Kosovën shtet të fuqishëm, pa Kosovën partner me SHBA-të dhe BE-në askujt, asnjërit nga nuk i duhet as pushteti e as karrige. Për këtë arsye unë besoj në nacionalitetin e opozitës dhe besoj se do ti bashkëngjiten ekipit dhe do të marrin përgjegjësinë e vet”, tha Veseli para gazetarëve në hollin e Kuvendit./Telegrafi/

Exit mobile version