Telegrafi

Veseli: Kosova po zë vendin ne familjen e demokracive evropiane

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e organizuar për nder të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, ka theksuar se është kënaqësi që në këtë jave historike për Kosovën, të jetë mysafire në legjislativin e vendit, përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Sipas tij, “prezenca e saj në Kuvendin e Kosovës, shpreh jo vetëm frymën pozitive të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe BE-së, por edhe avancimin real të këtij bashkëpunimi”.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) dhe rekomandimi i djeshëm pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, janë tregues të qartë se progresi i integrimit të Kosovës në BE, janë në proces të vazhdueshëm”, ka thënë Veseli.

Ai ka theksuar se Kosova natyrshëm dhe me plot të drejtë po fillon të zë vendin e merituar ne familjen e demokracive evropiane, duke shtuar se “ne jemi krenarë për konsensusin pro perëndimor që kemi në Kosovë”.

“Kemi shumë punë për të kryer që ëndrrën evropiane ta kthejnë në realitetin e prekshëm të perspektivës evropiane”, ka shtuar Veseli. /Telegrafi/